AAK pushon aktivitetin e saj në Deçan pas vrasjes së Blerand Kadrijajt, Ramosaj: Sot është ditë pikëllimi për komunën tonë
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka bërë të ditur se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në këtë komunë, do ta pushojë gjithë aktivitetin e saj për dy ditët e ardhshme.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ramosaj ka thënë se kjo do të bëhet në shenjë nderimi për bashkëvendasin e tyre, njëherit ish-kandidat për kryetar të Deçanit, Blerand Kadrijaj, i cili mbeti i vrarë mbrëmë në Pejë, shkruan Reporteri.net.
“Në shenjë nderimi per bashkëvendasin tonë, ish-kandidatin për Kryetar të Deçanit, z.Blerand Kadrijaj, Aleanca për Ardhmerinë e Kosoves – AAK, në Deçan, e pushon gjithë aktivitetin e saj për dy ditët e ardhshme. Kjo në shenjë nderimi për Blerandin, familjen, miqtë, kolegët dhe gjithë qytetarët e komunës sonë! Sot nuk është dita të flasim për vota. Sot është ditë pikëllimi për Deçanin!”, ka thënë ai.
Ndryshe, mbrëmjen e së mërkurës, në Pejë mbetën të vrarë kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës nga PDK, Astrit Ademaj dhe zyrtari i lartë i kësaj partie, Blerand Kadriaj.
Kadrijaj ishte kandidat për kryetar të Komunës së Deçanit nga radhët e PDK-së në zgjedhjet lokale të vitit 2017.
Deri te vrasja dyshohet se ka ardhur pas një konflikti momental që ka ndodhur në afërsi të shtëpisë së viktimës, Astrit Ademaj, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.
I plagosur ka mbetur edhe vëllai i Astrit Ademajt për të cilin është bërë e ditur se është nën arrest dhe se gjendja e tij është stabile.
Postimi i plotë i Ramosajt:
Në shenjë nderimi per bashkëvendasin tonë, ish-kandidatin për Kryetar të Deçanit, z.Blerand Kadrijaj, Aleanca për Ardhmerinë e Kosoves – AAK, në Deçan, e pushon gjithë aktivitetin e saj për dy ditët e ardhshme.
Kjo në shenjë nderimi për Blerandin, familjen, miqtë, kolegët dhe gjithë qytetarët e komunës sonë!
Sot nuk është dita të flasim për vota. Sot është ditë pikëllimi për Deçanin!
Sot lutem për shpirtin e Blerandit dhe shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij, Kadrijaj nga Rastavica, gjithë bashkëvendasit, miqtë, kolegët dhe gjithë qytetarët e Deçanit!
Lusim Zotin t’iu jap durimin familjeve të përballojnë këtë dhimbje të madhe!
Sinqerisht,
Bashkim Ramosaj