Fillon mbështetja për lehonat dhe ndarja e shtesave për fëmijë
Me ministrin e Financave, Punës dhe Mirëqenies Sociale, Hekuran Murati, prezantuam sot fillimin e zbatimit të masës 3.5 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, pra pagesat për lehonat dhe shtesat për fëmijë.
Nga nesër (e shtunë) nënat e reja mbi 18 vjeç, të cilat kanë lindur foshnjën nga data 1 gusht 2021 e këtej, mund të aplikojnë për mbështetje duke plotësuar formularin për aplikim në platformën elektronike “eKosova” me të dhënat personale të aplikueses, numrin e llogarisë bankare dhe numrin personal të foshnjës. Njëlloj realizohet edhe aplikimi për shtesat për fëmijë.
Sipas masës 3.5, lehonat e papuna në 12 muajt e fundit do të përfitojnë mbështetje financiare 170 Euro për 6 muaj, ndërsa ato të punësuara do të përfitojnë mbështetje financiare 170 Euro për 3 muaj, krahas kompensimit të rregullt të pushimit të lehonisë.
Këtë muaj fillon edhe shpërndarja e shtesave për fëmijë që do të përfshijnë fëmijët e lindur në vitin 2020 dhe 2021 me nga 20 euro në muaj. Gradualisht, me fillim nga janari i vitit 2022 do të shtohen grupmosha të tjera deri në moshën 16 vjeçare, për të cilat vlera e shtesës është 10 euro në muaj.
Përveçse premtim zgjedhor e qëllim programor, përkrahja për gratë dhe fëmijët është vlerë dhe botëkuptim i Qeverisë sonë. Pa u bërë ende gjashtë muaj në qeverisje, filluam mbështetjen financiare për ta.
Kësisoj, po e fuqizojmë rolin e gruas në shoqëri. Po kujdesemi për mirëqenien dhe pavarësinë e saj financiare, në një kohë kur ajo kujdeset për fëmijën e sapolindur.