Në qershor të vitit të kaluar, Lëvizja Vetëvendosje kishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të ish-Presidentit, Hashim Thaçi, i cili gjatë asaj kohe kishte shtyrë zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut si rezultat i situatës pandemike.
Vetëvendosje kishte thënë se qytetarët e Komunës së Podujevës nga shkurti i vitit 2020 deri në qershor, kur është dorëzuar kërkesa për vlerësim në Kushtetuese, janë privuar nga e drejta e tyre përcaktuar me Kushtetutë për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre si Kryetar të Komunës, si dhe për të pasur qeverisjen lokale që kanë zgjedhur përmes zgjedhjeve të lira, me justifikimin se ato rrezikojnë shëndetin publik.
“Me vendimet e Presidentit për të shtyrë pa afat të caktuar mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Besianës, por së fundi edhe për zgjedhjen e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Presidenti ka privuar qytetarët nga e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, siç përcaktohet me nenin 45 të Kushtetutës. Vendimi i Presidentit për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve në Besianë dhe Mitrovicë është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës, si dhe në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të integruara në Kushtetutë si dhe me praktikat e mira dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale”, thuhej në komunikatën e VV-së.
Por tashmë në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit, numri dy i VV’së, Glauk Konjfuca, ka thënë se ai personalisht mendon që zgjedhjet duhet të shtyhen shkaku i pandemisë.
Pas kësaj deklarate të Konjufcës kishin shpërthyer reagimet nga opozita, duke thënë se VV-ja po frikësohet nga sovrani meqë kanë informacione se do të dalin keq në zgjedhjet lokale.