Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se po monitoron një variant të ri të koronavirusit të njohur si “Mu”, i cili u identifikua për herë të parë në Kolumbi në muajin janar.
Ky variant që mban emrin shkencor B.1.621, është klasifikuar si një “variant me interes studimi”, tha organizata. OBSH-ja tha se duhet më shumë studime për të ditur më shumë për këtë variant, por sipas zyrtarëve shëndetësor ai ka mutacione që tregojnë për një rrezik të rezistencës ndaj vaksinave.
Në gjithë globin ka një shqetësim për shfaqjen e varianteve të reja të koronavirusit pasi numri i të infektuarve po shënon rritje për shkak të variantit Delta të koronavirusit i cili është shumë më ngjitës. Numri i të infektuarve po rritet në mesin e personave të pavaksinuar dhe në rajonet ku masat kundër pandemisë janë lehtësuar, shkruan Top Channel.
Të gjitha viruset, përfshirë SARS-CoV-2 që e shkakton sëmundjen COVID-19, ndryshojnë me kalimin e kohës, shkruan Alsat M. Por, disa mutacione mund të ndikojnë në vetitë e një virusi dhe ta bëjnë përhapjen e tij më të lehtë, pastaj të ndikojnë në ashpërsinë e sëmundjes që e shkakton dhe rezistencën e tij ndaj vaksinave dhe ilaçeve.
OBSH-ja aktualisht ka identifikuar katër variante shqetësuese të COVID-19, përfshirë Alpha, i cili është i pranishëm në 193 vende, dhe Delta, i përhapur në 170 vende. Pesë variante tjera, përfshirë Mu, duhet të monitorohen, sipas OBSH-së. Ky variant u zbulua për herë të parë në Kolumbi, por është raportuar edhe në vende tjera të Amerikës së Jugut dhe në Evropë.