Në organizim të Drejtorisë Komunale e Arsimit, në Gjilan është mbajtur sot një manifestim kushtuar 7 Marsit – Dites se Mësuesit, ku kanë marrë pjesë kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi, nënkryetari Rexhep Kadriu, drejtoresha e DKA-së, Shqipe Kastrati si dhe arsimtarë e veteranë të shumtë të arsimit. Në fjalën e tij të rastit për këtë ditë, kryetari Lutfi Haziri, ka thënë se mësuesit janë shtylla kryesore e një shteti dhe e ardhmja më e sigurt e një vendi.
Arsimi është ai që krijon e që ndërton personalitete e autoritete, njerëz e kapital njerëzor që është faktori kryesor i çdo gjëje që arrin një popull, ka thënë ai.
Për më tepër, Haziri ka thënë se e ardhmja e një fëmijë varet nga dy njerëz në botë, nga nëna në shtëpi dhe nga mësuesi në shkollë. Të dy këta kanë ndikim të jashtëzakonshëm në formimin e karakterit dhe personalitetit të një fëmije.
Duke shfrytëzuar këtë ditë, kryetari Haziri ka falënderuar të gjithë mësimdhënësit të cilët janë pensionuar ndërmjet dy festave, duke thënë se arsimtarët janë e vetmja kategori që kur vije kjo ditë, ndahen me lot nga nxënësit dhe nga procesi mësimor.
Haziri ka përmendur edhe rezultatet e veçanta të nxënësve të Gjilanit, të cilët kësaj komune i kanë sjellë medalje e mirënjohje nga gara të ndryshme, me dëshirë që rreshti i këtyre nxënësve shembullorë, të jetë edhe më i gjatë në të ardhmen.
“Për t`i përkrahur nxënësit e suksesshëm, ne kemi krijuar edhe Fondin e Ekselencës, i cili do të jetë mbështetje e madhe për talentet e reja, në të gjitha kategoritë”, ka thënë Haziri.
Ndërkaq, Shqipe Kastrati, drejtoreshë e Arsimit, duke i bërë një vështrim rrugës së gjatë të shkollës shqipe, ka thënë se mësuesit tanë kanë kaluar nëpër sfida të shumta, por gjithmonë kanë dalë fitues.
Kurse sa i përket gjendjes së tashme, ajo ka nënvizuar faktin se në Gjilan, arsimi ka shënuar arritje të mëdha në periudhën e qeverisjes së Lutfi Hazirit.
Për nder të këtij përvjetori të shkollës shqipe, Komuna e Gjilanit ka nderuar me mirënjohje të gjithë mësuesit e pensionuar gjatë një viti, përfshirë edhe drejtorin e Arsimit, Nazmi Musa, të cilit mirënjohjen ia ka dorëzuar kryetari Lutfi Haziri.
Për pjesëmarrësit në këtë manifestim, është shfaqur edhe një program muzikor.