Qytetarë të Gjilanit, tashmë jemi zyrtarisht në fushatë elektorale të zgjedhjeve lokale të 17 Tetorit. Fatkeqësisht po përballemi me pandeminë dhe kujdesi ndaj këtij virusi është primar për shëndetin. Andaj, ju lutem të kemi kujdes dhe të ruajmë njëri-tjetrin derisa ta kalojmë. E jeta jonë dhe proceset e përditshme duhet vazhduar gjithsesi, njerëzit duhet punuar për të siguruar një mirëqenie, arsimuar e për të ngritur dijen dhe për t’u kujdesur për një jetë të shëndetshme.
Gjilani si qytet me fshatrat në rrethinë, pikërisht më 17 tetor, do të vazhdojnë udhëheqjen katërvjeçare, pasi nuk po vjen asgjë e re dhe as nuk ka nevojë. Para jush keni kandidaturat tashmë të konfirmuara nga partitë politike. Para jush keni ofertat e kandidatëve, por jo edhe programet konkrete të disa prej tyre. Duke respektuar secilin prej tyre, ju ftoj që votën tuaj ta drejtoni aty ku ju mendoni se e meriton kandidati, i cili ka përvojën, dijen dhe kapacitetin tashmë të dëshmuar.
Gjilani nuk ka nevojë për eksperimente dhe nuk mund ta ndryshojë udhëheqjen sa për teke e dëshira të dikujt. Gjilani ka nevojë për ecje të sigurt përpara. Ka nevojë për investime edhe më shumë, për shëndetësi, arsim e infrastrukturë bazike. Për përkrahjen e familjeve në asistencë. Për barazi e siguri qytetare. Gjilani ka nevojë për Lutfi Hazirin.
Luta është politikani i vjetër në traditë, por i ri në vizion dhe brez i mesëm dhe i artë në moshë. Bartës i proceseve madhore për vendin. Njeriu i besueshëm i posteve të rëndësishme dhe unifikuesi i denjë i polarizimive të ndryshme partiake. Njeriu që ofron idetë dhe kundërshton arrogancën dhe ofendimet. Njeri që falë gabimet, por dëgjon të gjitha qëllimet.Tek ai mbizotëron besimi në familje të shëndoshë, në shtet të zhvilluar dhe besim në Zot e atdhe.
Luta është përkrahës i madh i të rinjve duke u shoqëruar me ta dhe i kupton nevojat e tyre. Është shembull se si respektohet gruaja, nëna dhe vajzat tona, mbase duke jetuar i rrethuar nga një grua fisnike dhe vajza të edukuara. Respekton thellësisht të moshuarit duke i nderuar e bashkëbiseduar edhe me ta. Luta ofron bashkëpunim për të gjithë që kanë vizion dhe ide për të mirën kolektive. E njeh secilën lagje të qytetit dhe secilin fshat, mbase duke u mishëruar me nevojat dhe kërkesat e tyre. Përvoja e tij shumëvjeçare në aktivitete të hershme politike i ka dhënë mundësinë që të kalitet në procese e sfida të rënda. Dhe pikërisht këto sfida e kanë forcuar dhe ngritur që të ballafaqohet me kriza dhe para tyre të dal fitimtar gjithmonë, madje edhe kur të tjerët ëndërronin. Luta mbetet politikani model i gjeneratave të ardhshme jo vetëm në Gjilan. Gjilani ka nevojë për Lutën, sepse ka ende shumë punë e projekte. Ka ende nevojë për njeriun e saj. Njeriun e besimit qytetar. Njeriun universal të zhvillimit të mëtejmë dhe të denjë të qytetit tonë. Luta i Gjilanit nuk ka alternativë, sepse Gjilani për Lutën është vendi ku ai lindi e u rrit, sakrifica e rinisë së tij, perspektiva e modelit të qytetit çfarë ne e duam. Luta i Gjilanit është emblema elitare nga e djeshmja, e sotshmja dhe e ardhmja e saj.
17 Tetori është data e adreses suaj për të ardhmen tonë. Drejtimin që ne e meritojmë. Alernativë tjetër nuk kemi. Gjilani për të gjithë. Luta për Gjilanin.
Na priftë e mbara!
Me respekt,
Valentina Bunjaku-Rexhepi, deputete
Pse Gjilani ka nevojë për Lutfi Hazirin e Luta për Gjilanin?
Ndani këtë artikull