Edhe në ditën e pestë rrugët që të çojnë në pikëkalimet kufitare në veri të vendit, vazhdojnë të jenë të bllokuara në veri të vendit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë për Klan Kosova se “vlerësohet të jetë një situatë e njëjtë me pengesat e ndryshme të vendosura me automjete, mjete të rënda transportuese, zhavor etj, në lokacione të ndryshme drejt pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak”.
“Policia e Kosovës, bazuar në autorizimet kushtetuese dhe ligjore si dhe bazuar në planifikimet operacionale në vazhdimësi po realizon ndërmarrjen e veprimeve policore në nivel vendi, përfshirë në të gjitha pikat kufitare me qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë – konkretisht targave të automjeteve, veprime këto të cilat janë duke vazhduar edhe sot. Policia e Kosovës në vazhdimësi ka përcjellë dhe monitoruar situatën dhe është kujdesur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, referuar situatës dhe zhvillimeve në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, vlerësohet të jetë një situatë e njëjtë me pengesat e ndryshme të vendosura me automjete, mjete të rënda transportuese, zhavor etj, në lokacione të ndryshme drejt pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak”, u shpreh Kelani.
Ndryshe Qeveria e Kosovës mëngjesin e të hënës nisi zbatimin e reciprocitetit për targa me Serbinë duke vënë targa të përkohshme për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territor të Kosovës.
Kjo e tensionoi shumë situatën në veri të vendit ku qytetarët serbë në shenjë proteste bllokuan rrugët në pikëkalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinjë.