Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan, për nderë të 170 vjetorit të lindjes dhe 90 vjetorit të vdekjes së heroit të kombit, Idriz Seferi, e njofton opinionin se do të organizojë Tribunë Shkencore me temë bosht “Idriz Seferi – një jetë për Shqipëri (1847-1927)”.
Në këtë Tribunë Shkencore, e cila do t’i zhvillojë punimet më 25 mars 2017, në sallën e Teatrit të Qytetit në Gjilan, nga ora 10:00, do të paraqiten me kumtesa 19 historianë e studiues nga Shqipëria dhe Kosova. Në paraqitjet e tyre do të trajtohet figura e Idriz Seferit nga gjenealogjia e familjes, orët e para të veprimtarisë së armatosur, ngritja e Idriz Seferit në personalitet prijës në Lëvizjen Kombëtare, kryengritjet e armatosura të viteve 1908-1912, Beteja e Kaçanikut, qëndresa ndaj pushtuesve serbë e bullgarë 1912-1927 dhe deri në momentet e fundit të jetës së tij. Personaliteti dhe veprimtaria e Idriz Seferit do të pasqyrohen në të gjitha dimensionet politike, ushtarake, shoqërore dhe kulturo-arsimore. Tribuna Shkencore do t’i zhvillojë punimet në dy seanca.
Organizimi i kësaj Tribune bëhet nën kujdesin e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.