Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Mustafa, me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare në mërgim, Ilir Mustafa, ku nënvizon kontributin e dhënë për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve, në përgjithësi, që prej viteve të 90-ta e këndej. Në telegram thuhe
“E nderuara familja Mustafa,
Me dhembje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim dhe veprimtarit për çështjen kombëtare, Ilir Mustafa.
Iliri që prej viteve 90-ta ka pasur një angazhim të pashoq për sensibilizimin e opinionit botëror për çështjen e Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve.
Ndërkaq, pas luftës së Kosovës, Iliri ka vazhduar punën e jashtëzakonshme për shtetbërjen e Kosovës dhe lirisht mund ta cilësojmë si ambasador të Kosovës në Francë për dy dekada.
Gjatë tërë jetës së tij, Iliri u angazhua për Kosovën dhe Gjilanin e tij përmes Asociacionit “Kosova- Ansambël” në Francë deri në frymën e fundit. Prandaj, ka qenë në nderin tim që ta njoh dhe të bashkëpunoj nga afër me të për dy dekada.
Veprimtarin Ilir Mustafa do ta kujtojmë edhe për punën dhe kontributin e tij në një kohë të pakohë, në organizimin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës në vitin 1991, në Gjilan, kur shumica absolute e shqiptarëve u deklaruan për pavarësinë e vendit.
Ndarja nga kjo jetë e Ilirit, është humbje e madhe për Gjilanin dhe për Kosovën. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Mustafa, shokëve, bashkëveprimtarëve dhe të gjithë qytetarëve të Gjilanit. Lamtumirë miku im!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit Haziri dërguar familjes Mustafa.