Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi është deklaruar nga Brukseli lidhur me zhvillimet e fundit në kuadër të dialogut që është zhvilluar sot në mes palës përfaqësuese të Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Përfaqësuesi i palës kosovare në dialog, Besnik Bislimi ka deklaruar para mediave se është arritur marrëveshja për targat me palën serbe.
“Kemi pasur disa takime, të gjitha ishin bilaterale, me z. Lajçak, i cili pastaj ka ndërmjetësuar mes palëve. Qëllimi për ne ka qenë i qartë të arrijmë deeskalimin e të ruajmë reciprocitetin me targa. Deri tash kemi arritur te një draft final, që thuajse është dakorduar në tërësi. Ka mbetur vetëm pala serbe të jap dakordimin final. Marrëveshja parasheh tri elemente. E para nga dita e hënë si Kosova ashtu edhe Serbia të avancojnë në përdorimin e stikersave në vend të ndërrimit të tabelave, që ishte edhe synimi i ynë të kemi trajtim të barabartë. Është e përkohshme dhe do të formohet grup punues për gjetje të një zgjidhje të përhershme për lëvizje të lirë të veturave mes vendeve, brenda gjashtë muajve. Pika e tretë ka të bëjë me deeskalimin e situatës, largimin e barrikadave nga dy pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Sipas kësaj marrëveshje, të shtunën do të vendoset KFOR-i në pikat lartë, e pas disa orëve do të zëvendsohej Policia Speciale, që paralelisht me barrikadat do të largohej nga pikat kufitare”, ka thënë Bislimi.
Bislimi ka deklaruar se e vetmja pikë ku Serbia nuk e ka dhënë pëlqimin, para se kjo marrëveshje të konsiderohet e finalizuar, ka të bëjë me veturat KM, njofton Klankosova.tv.
“Ne kemi dakordim për të gjitha pikat. E vetmja pikë në të cilën pala serbe ende nuk e ka dhënë pëlqimin para se marrëveshja të quhet e finalizuar ka të bëjë me veturat KM për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhej të aplikoheshin ‘stickers’ dhe ne mendojmë që kjo është absurde për arsye se ato tabela janë ilegale dhe ne nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje ku favorizon poseduesit ilegalë të tabelave kështu që edhe ata do të duhen të kenë të njëjtin sistem”.