Foto:REL
Njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm se dikush duhet të lëvizë dhe të funksionojë”, kështu komenton Mladen, një qytetar serb nga Mitrovica e Veriut, fletushkat me përmbajtje kërcënuese dhe ofenduese, të cilat, në këtë komunë, gjatë natës ndërmjet të martës dhe të mërkurës, më 28 dhe 29 shtator, u vendosën mbi automjetet që kishin targa të Serbisë.
Një fletushkë ku shkruan “stop” është vendosur në xhamin e një veture të pajisur me targat e përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. FOTO: REL
Në ato fletushka u sugjerohet pronarëve që të mos i marrin targat e përkohshme të Kosovës (RKS) dhe se për ata që do ta bëjnë këtë mund të ketë pasoja.
Mladen thotë se qytetarëve u kanë ardhur në majë të hundës presionet, ndërkaq për sa i përket vendosjes së fletushkave, ai thotë se nuk e ka idenë se kush ka mundur ta bëjë këtë.
“Kjo ka mundur të bëhet vetëm gjatë natës dhe është çështje për policinë”, tha Mladen.
Edhe qytetari tjetër serb nga kjo komunë, i cili u prezantua me emrin Jugosllav, tha që shpërndarja e fletushkave me kërcënime është çështje e policisë, e cila sipas tij, duhet t’i gjejë personat që i kanë vendosur ato fletushka me përmbajtje kërcënuese ndaj pronarëve të automjeteve me targa të Serbisë.
“Nuk e ka bërë këtë vetëm një njeri. Këtë e kanë bërë shumë njerëz. Një gjë e tillë duhet të zgjidhet”, tha Jugosllav.
Mesazhe kërcënuese në kohë tensionesh mes Kosovës dhe Serbisë
Por, e gjitha kjo ka ndodhur në kohën kur janë ngritur tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës së reciprocitetit me Serbinë për targat, më 20 shtator. Serbët lokalë kanë bllokuar rrugët në afërsi të vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Ky bllokim i vendkalimeve kufitare tani pritet të hiqet, marrë parasysh që ekipet negociuese të Kosovës dhe Serbisë, përmes Bashkimit Evropian, të enjten, më 30 shtator, kanë arritur një marrëveshje për shtensionimin e situatës, heqjen e barrikadave dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës, si dhe një zgjidhje të përkohshme për targat.
Pakënaqësinë në mesin e serbëve në veri të Kosovës e rriti edhe njoftimi nga autoritetet e Kosovës se të gjitha targat e lëshuara nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë do të konfiskoheshin.
Bëhet fjalë për targat me akronime të qyteteve të Kosovës, KM (Mitrovica e Kosovës), PR (Prishtinë), GL (Gjilan) dhe targa të tjera për qytetet tjera në Kosovë, të cilat dhjetë vjet më parë u hoqën në komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, sipas Marrëveshjes së Brukselit për lirinë e lëvizjes.
Ndonëse këto targa janë jolegale për autoritetet e Kosovës, Ministria e Brendshme e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë, më 22 shtator, se do të lejoheshin të riregjistrohen ato automjete, me targa RKS.
“Mund t’i regjistrojnë sipas së njëjtës procedurë si të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës. Ata vetëm duhet të kontaktojnë qendrat e regjistrimit të automjeteve dhe do të marrin të gjitha informacionet dhe detajet e nevojshme”, kanë thënë Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.
Petroniq: Kërcënim joserioz nga kinse patriotët
Studiuesi i çështjeve të sigurisë, Veroljub Petroniq nga organizata joqeveritare Qendra Humane në Mitrovicë, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, tha që fletushkat me përmbajtje kërcënuese dhe ofenduese, të cilat janë vendosur në disa automjete në komunat në veri të Kosovës, nuk i konsideron si kërcënim serioz. Kjo për faktin se sipas tij, kur dikush shkruan një kërcënim serioz, kryesisht nënshkruhet si individ, organizatë, grup i qytetarëve, grup i rezistencës ose grup ekstrem.
“Po të kishte nënshkrimin e kujtdo qoftë, këtë do ta merrja si kërcënim serioz. Por, mendoj se janë dy mundësi lidhur me atë se kush qëndron prapa kësaj. Pra ose dikush i ka dirigjuar të rinjtë që ato mbishkrime t’i shpërndajnë nëpër qytet ose dikush prej të rinjve ka guxuar që të bëjë një veprim të tillë kinse patriotik, që të dërgojë porosi kërcënuese, për të thënë se nuk i duam këto targa”, tha Peroniq.