Gjilan, 7 prill 2017 – Klubi i Rotarianëve “Gjilani”, në bashkëpunim me shoqatën “Busavata” nga Zvicra, ka ndarë sot një donacion 10 shtretër për Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe ndriçim për sallën operative për Spitalin e Përgjithshëm.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku Rexhepi, pasi pranoi këtë donacion, tha se është shumë i mirëseardhur marrë parasyshë nevojat që kanë për t’i trajtuar sa më mirë pacientët e Gjilanit.
“Tradicionalisht, klubi i rotarianëve “Gjilani” kanë bërë një punë të mrekullueshme. Ky është donacioni i radhës, pas shumë donacioneve tjera në lëmi të ndryshme. Komuna e Gjilanit ka qenë gjithmonë krah tyre sa i përket bashkëpunimit. Ky donacion është i mirëseardhur, marrë parasyshë nevojat që i kemi për t’i trajtuar sa më mirë pacientët e Gjilanit. Unë e falënderoj bashkatdhetarin Asllan Maliqi për donacionin, sikurse edhe donatorët tjerë, të cilët në vazhdimësi po e mbështesin Gjilanin”, tha Bunjaku Rexhepi.
Kryetari i klubit të rotarianëve “Gjilani”, Fatos Qerimi, ka falënderuar humanistin Asllan Maliqi për donacionin, vlera e të cilit është 80 mijë euro, sikurse edhe kryetarin Haziri për mbulimin e shprenzimeve të transportit. Ai premtoi mbështetje për qytetarët e Gjilanit edhe në të ardhmen.
Ndërkaq, fjalë falënderimi për këtë donacion pati edhe drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Famijare (QKMF), Fejzulla Berisha, sikurse edhe dr. Besim Guda në emër të Spitalit të Përgjithshëm, të cilët thanë vlerësuan se ky donacion do të ndihmojë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, në të mirë të pacientëve.