Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka zhvilluar takim në formë bashkëbisedimi me sportistët, duke respektuar rregullat anti-COVID-19, nën shoqërimin edhe të kandidatëve për Asamble nga radhët e LDK-së, Deniza Limani, Gentrit Murseli, Imran Haziri, Driton Nuhiu, Diana Toska, Isa Musliji, Gresa Avdiu, Drenushë Maloku, Atdhe Murtezi, Leutrim Bllaca e Valdrin Halimi.
Kryetari Haziri ka falënderuar sportistët të cilët me rezultatet e tyre, Gjilanit i kanë dhënë epitetin e Kryeqytetit të Sportit, ndërkohë që ka premtuar mbështetje të madhe edhe në mandatin e ri për këtë sektor.
“Sportistët, përfshirë legjendat, veteranët e punëtorët sportivë, na kanë bërë nder me rezultatet e mëdha, për ta fuqizuar epitetin e Gjilanit – Kryeqytet i Sportit. Arsyeja e vonesës në rindërtimin e Stadiumit të Qytetit është kërkesa e UEFA-s që ky Stadium të bëhet sipas kategorisë 4 b dhe pas harmonizimit të projektit me shtëpinë më të madhe të futbollit në Europë, faza e parë është në përfundim e sipër, ndërkaq me fazën e dytë përfundon krejtësisht ky projekt”, ka thënë kryetari Haziri.
“Edhe problemi i palestrës në Zhegër është zgjidhur dhe shpresojmë që operatori i ri do t’i jap dinamikë të madhe punimeve, ndërsa palestra e sporteve “Bashkim Selishta – Petriti”, do të rinovohet tërësisht. Sportet shkollore i kam për zemër dhe ky program do të zhvillohet me ndërtim të terreneve të hapura sportive e renovim të disa palestrave. Ajo që më gëzon shumë është fakti se 100 mijë euro më shumë i kemi ndarë sivjet për sektorin e sportit dhe kjo do të jetë një mundësi shumë më e madhe për operim të suksesshëm të klubeve. Zotohem se shpresat olimpike do t’i përkrahim në të ardhmen, në formatin e bursave. Ju falëmnderit shumë. Do të mbetem gjithmonë, Luta i Juaj”, ka thënë Haziri.