Më 30 shtator Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Lajmin e bëri të ditur i ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Lajçak publikoi letrën e marrëveshjes ku shihet se palët janë pajtuar për tri pika kryesore, raporton Indeksonline.
1. Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.
2. Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
3. Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Pune, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.
Nga dita e nesërme do të hyjë në fuqi zbatimi i marrëveshjes për targat.
Kjo marrëveshje do të nis së zbatuari në ora 8 të mëngjesit, ku Kosova dhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra-tjetrës.
Edhe targat KM [akronimi serbisht për Komunën e Mitrovicës] do të lejohen por me stiker.
Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër.