Sot në orët e hershme të mëngjesit, Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla vizitoi pikëkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë për ta parë nëse po zbatohet pika e dytë e marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ka të bëjë me vendosjen e stikersave.
Ministria e Punëve të Brendshme thotë se zbatimi i kësaj pike ka filluar pa asnjë problem në nivel vendi dhe në të gjitha pikat kufitare, duke shtuar se do të kujdesen që zbatimi të vazhdojë në këtë formë.
Sveçla falënderoi zyrtarët e të gjitha institucioneve, në veçanti zyrtarët e policisë, për punën dhe angazhimin në interes të vendit, sigurisë nacionale dhe zbatimit të marrëveshjes.
Njëkohësisht ministri gjatë vizitës dhe takimit me udhëheqësit e dy pikave kufitare, përfshirë udhëheqësin e stacionit të ri të zyrtarëve kufitarë, u zotua se do të vazhdojë përkrahjen dhe mbështetjen në krijimin e infrastrukturës dhe kushteve më të mira për punë.
Vizita të ngjashme në pjesën veriore të Kosovës, Sveçla iu bëri edhe disa njësiteve policore të cilat ishin në patrullime në kryerje të detyrës zyrtare.
Gjatë kësaj vizite u kërkua që Policia e Kosovës të vazhdojë me angazhime konkrete në zbatim të ligjit, në ofrimin e sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë, parandalimin e krimit ndërkufitar dhe kontrabandës, si dhe mundësimin e qarkullimit e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, në veçanti për kufij të hapur, mirë të kontrolluar dhe të sigurt.