Derisa gjatë pjesës së parë të shtatorit dhe në fillim të pjesës së dytë, numri i të vaksinuarve kundër COVID-19 shkonte në mbi 20 mijë brenda 24 orëve, shifrat kanë rënë dukshëm në pjesën e fundit të muajit, trend i cili po vazhdon edhe në fillim të muajit tetor.
Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë administruar gjithsej 12.005 vaksina anti-COVID.
Nga fillimi i këtij muaji e deri më sot janë dhënë plot 90 mijë e 748 vaksina, kurse në tetë ditët e fundit të muajit shtator janë administruar 118,970 doza anti-COVID, apo gati 20 mijë më shumë, raporton Zeri.info.
Ndërkaq, fillimi i muajit shtator, gjegjësisht periudha e njëjtë me këtë fillim muaji, regjistroi 149,447 të vaksinuar, e që krahasuar me këtë fillim-muaji i bie gati 60 mijë më shumë vaksina të administruara.
Më 15 shtator llogaritet të jenë administruar më së shumti doza të vaksinave brenda 24 orëve. Në atë ditë, sipas shifrave të publikuara nga MSH-ja, ishin dhënë gjithsej 22,671 doza.
Deri më tani në vendin tonë janë vaksinuar 1,419,979 persona, ndërkaq me dozën e dytë, apo të imunizuar tërësisht, janë 598,551 persona.
Numri i të infektuarve, e edhe i viktimave, ka rënë dukshëm periudhën e fundit. Derisa dje nuk u shënua asnjë viktimë, sot është regjistruar një. Më 29 gusht, IKSHPK-ja pati njoftuar për 36 të vdekur për një ditë nga koronavirusi. /Zëri