Gjilan, 19 maj 2017 – Me rastin e ndarjes nga jeta të deputetit të LDK-së, Agim Kikaj, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Kikaj. Në telegram thuhet:
“E nderuara familje Kikaj,
Me dhembje të thelle e pranova lajmin për ndarjen e papritur nga jeta të veprimtarit të kahmotshëm për çështjen e Kosovës, mikut tim dhe deputetit Agim Kikaj.
Agimi shkoi nga kjo botë, por do ta kujtojmë për sa të jetë jeta për kontributin e tij për shtetndërtim, për lirinë, pavarësinë e demokracinë e Kosovës, sikurse edhe për mirëqenien e qytetarëve të Republikës.
Ndarja e tij nga kjo botë, ka lënë boshllëk të madh në politikbërjen në vend, në partinë e tij LDK, mbi të gjitha në institucionin më të lartë, Kuvendin e Republikës. Ai gjithmonë ishte zëri i arsyes dhe unitetit.
I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kikaj, shokëve, miqve, kolegëve e farefisit. Lamtumirë miku im!”, thuhet në telegram.