Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka vizituar sot shkollën e kursit të gjermanishtes, ku me drejtuesit e saj ka biseduar për punën dhe sukseset si dhe për interesimin e të rinjve për mësimin e gjuhëve të huaja.
Në nderim të sukseseve të arritura, kryetari Lutfi Haziri e ka nderuar me mirënjohje drejtoreshën e kësaj qendreje, Ibadete Abazi, e cila ka marrë guximin ta themelojë ndër të parat një shkollë për gjuhët e huaja dhe ka ditur ta menaxhojë dhe avancojë atë deri në këtë nivel, përmes përkushtimit dhe kreativitetit.
Haziri e ka përgëzuar me këtë rast drejtoreshën Abazi, stafin e saj si dhe vijuesit e kursit të gjuhës gjermane, për arritjet e deritashme, duke e ditur se nuk është lehtë të fillosh e para një punë dhe t`ua bësh fëmijëve dhe të rinjve të kuptueshme dhe të pranueshme një gjuhë jo amtare.
Për më tepër, ai ka nënvizuar faktin se gjuhët janë vlera e vërtetë e një njeriu, duke rikujtuar shprehjen e njohur ‘sa gjuhë di, aq vlen’.
Ndërkaq, drejtoresha Ibadete Abazi e ka falënderuar kryetarin Haziri për vizitën dhe mirënjohjen për të, që në të vërtetë është një vlerësim për punën e kësaj shkolle.