Pas takimit me kryetarët e degëve të partive të Koalicionit të Shpresës dhe Besës të Anamoravës, kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka mbledhur pasdite në takim Shtabin Zgjedhor, Forumin e Gruas, Forumin e Rinisë dhe kandidatët për deputet nga radhët e kësaj partie, Lirije Kajtazi, Valentina Bunjaku Rexhepi, Imet Rrahmani e Isa Agushi.
Në takim është vendosur për funksionalizimin e plotë të shtabit punues, të cilit i prin Lutfi Haziri, ku u ndan detyrat e u hartuan dokumentet e shtabit: rregullorja e punës, struktura me përgjegjësitë e secilës njësi të shtabit.
Poashtu, deri më 1 qershor, në hapjen zyrtare të fushatës, janë përcaktuar të gjitha detyrat, përfshirë grupet punuese për daljen në terren me qëllim të punës me strukturat e partisë në nivel të nëndegëve.
Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, njëherit nënkryetar në nivel qendror, ka thënë se Gjilani dhe Anamorava është gati për ta shënuar fitoren e madhe të 11 qershorit, së bashku me partnerët e saj, duke i vazhduar dhe ruajtur projektet multimilionëshe për këtë komunë.
“Gjilanit i është kthyer kujdesi i qeverisë në investime dhe nuk kemi me leju me u shembë kjo”, tha Haziri.