Gjilan, Maj 2017
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës-Dega në Gjilan, njëherit kandidat për deputet në Parlamentin e Kosovës, Rexhep Kadriu, ka vizituar sot nëndegët e AAK-së në lagjen “Arbëria”. Ai u mirëpritë nga dy kryetarët e nëndegëve Ramadan Isufi dhe Shefqet Ajeti, të cilët si përfaqësues të njërës nga lagjet më të mëdha të qytetit, thanë se i japin vulën e fitores projektit të madh të kryeministrit Ramush Haradinaj.
Kryetari i AAK-së në Gjilan, njëherit edhe nënkryetar i Komunës Rexhep Kadriu, tha se në këtë lagje ndihet si në familjen e tij, sepse gjithmonë ka gjetur mikpritje në mesin e bashkëqytetarëve.
“Kemi qenë gjatë me banorët e kësaj lagje në shumë bashkëpunime dhe projekte tona. Nevojat e kësaj lagje na kanë obliguar që të jemi aktiv me punë dhe angazhime”, ka thënë Kadriu. Njëheri ai i ka bërë thirrje banorëve të kësaj lagje për organizim dhe masovizim për zgjedhjet e 11 qershorit, për ta mbështetur Ramush Haradinaj për kryeministër të Kosovës dhe kandidatët e Gjilanit për deputetë.
“Gjatë kësaj kohe sa jemi në bashkëqeverisje në Gjilan, kemi dhënë shembull të mirë se si duhet të qeveriset dhe se si duhet ti qaset problemeve të qytetarëve”, ka thënë më tutje Kadriu. Ai ka shtuar duke thënë se misioni i ri i Aleancës përmbanë në vete gjenerimin e vendeve të reja të punës, një shëndetësi të mirëfilltë dhe prioritet për Gjilanin në agjendën e kryeministrit Haradinaj.
“Nga ne kërkohet ta mbështesim kryeminstrin Haradinaj në këtë rrugëtim, ndërsa Haradinaj si kryeministër do ta mbajë fjalën për mbështetjen e Gjilanit. Gjilani kësaj here nuk duhet ta shpërndajë votën jashtë qytetit tonë. I kemi tre kandidatë nga Gjilani dhe ata janë Ahmet Isufi, Magbule Shkodra dhe Rexhep Kadriu. Mbështetja juaj për këta tre kandidatë, nënkupton mbështetjen për projektet e Haradinaj për Gjilanin”, ka thënë në fund Kadriu.
Këtë përkrahje dhe këtë mbështetje ia premtuan dy kryetarët e nëndegëve, të cilët thanë se Rexhep Kadriu e meriton këtë përkrahje dhe mbështetje më shumë se asnjëherë, sepse me punë dhe përkushtim ndaj nevojave të lagjes, ka treguar dëshirën për të punuar në të mirë të qytetarëve.
Një fjalë rasti para të pranishmëve mbajti edhe Ardian Foniqi, anëtar i kryesisë së AAK-së në Gjilan, i cili tha se me kandidatët për deputetë që vijnë nga radhët e AAK-së, na bashkon rruga e punëve të mira për shtetin dhe kombin.
Ndryshe, ky takim është vazhdimësi e takimeve të kryetarit Rexhep Kadriu me nëndegë, si mobilizim për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 11 qershor, ku AAK si pjesë e koalicionit PDK-AAK-NISMA, ka Ramush Haradinaj kandidat për kryeministër të Kosovës.