Kuvendi Komunal i Gjilanit, ka miratuar të mërkurën rishikimin e buxhetit për vitin 2017, ndërkaq raportin vjetor të kompanisë “Ecohigjiena” si dhe raportin e Komisionit komunal për zgjedhjen e Këshillave të fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane, i ka shtyrë për më vonë, pas zgjedhjeve parlamentare. Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se me shefat e grupeve të këshilltarëve janë marrë vesh që, për shkak të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, të shtyhen për vonë të dyja këto dy raporte, për të mos reflektuar politikisht dhe në këtë seancë të procedohet vetëm me rishikimin e buxhetit.
Këshilltarët komunalë e kanë miratuar pa debat edhe rishikimin e buxhetit, të cilin e ka prezantuar Zijadin Maliqi, drejtor për Financa, duke thënë se ne duhet ta kryejmë punën tonë, sipas instruksioneve të Ministrisë së Financave, pavarësisht se rishikimi i buxhetit në nivel qendror nuk mund të bëhet për shkak se parlamenti është shpërndarë, ndërsa qeveria është në largim.
Maliqi ka sqaruar se bëhet fjalë për disa ndryshime të vogla, në kuadër të drejtorive, duke nënvizuar si shembull bartjen e shumës prej 47 mijë euro, nga arsimi parafillor te arsimi i mesëm, ku ka një minus të mjeteve për paga.
Kështu është vepruar edhe te Administrata, te Zyra e Kryetarit dhe te tek të gjitha drejtoritë tjera, të cilat i kanë paraqitur nevojat dhe i kanë bërë propozimet e veta për këto ndryshime, ka thënë Maliqi, duke shtuar se raporti i përmban të gjitha hollësitë rreth lëvizjeve tjera në kuadër të procesit të rishikimit të buxhetit.
Në zgjedhjet parlamentare të qershorit marrin pjesë disa prej anëtarëve të këtij Kuvendi Komunal, përfshirë edhe kryesuesen.
RSS