Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se ka deponuar 10 ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke akuzuar PDK’në për vjedhje votash.
Jashari, me anë të një postimi në ‘Facebook’, pretendon se vëzhguesit e tij nëpër vendvotime kanë identifikuar fletëvotime të pavulosura.
“Pas evidentimit të parregullsive të shumta që kanë ndodhur në shumë vendvotime në komunën tonë, sot kemi deponuar mbi 10 ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që kanë të bëjnë me vjedhjen e votave me sistemin e “trenit bullgar”, duke deformuar kështu vullnetin e shenjtë të qytetarëve të komunës sonë”, ka thënë ai.
Nga 98,41 për qind të votave të numëruara, kandidati i PDK’së Fadil Nura i ka 57,99 për qind të votave, derisa Jashari ka mbledhur 40,64 për qind të votave.