Kandidati i pavarur për kryetar të Hanit të Elezit, Rufki Suma, është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me procesin zgjedhor që është zhvilluar në këtë komunë, e ku kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Mehmet Balazhi fitoi pa balotazh. PZAP-ja ka vendosur që katër vendvotime t’i dërgojë në rivotim, shkruan Gazeta Express.
Sipas vendimit të PZAP-së, Suma është ankuar se simpatizantët e PDK-së kanë bërë presion mbi qytetarët e Hanit të Elezit që të votojnë këtë subjekt politik.
Më datë 18.10.2021, PZAP-i, ka pranuar ankesë nga kandidati i pavarur Rufki Suma, i cili pretendon se gjatë netëve të fundit të zgjedhjeve lokale në Komunë e Hanit të Elezit simpatizantët e PDK-së, kanë bërë presion mbi qytetarët ku çdo qytetarë e kanë përcjellë me veturë dhe i kanë bërë ultimatum që të mos futen nëpër shtëpi, pra po ashtu dyshojmë se janë shpërndarë mjete për blerje të votave. Parashtruesi i ankesës thekson se e kanë lajmëruar Policinë e Kosovës por të njëjtit nuk kanë dalë për t’i shpërndarë turmën e njerëzve”, thuhet në njoftim.
Kështu PZAP-ja ka urdhëruar KQZ-në që të përsëritet votimi në katër vendvotime.
“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me seli në Prishtinë, ta përsërisë votimin vetëm për kryetar komune në Qendrat e Votimit, nr. 3301d, 3302d, 3303d dhe 3304d të gjitha në Komunën e Hanit të Elezit”, thuhet më tutje në vendimin e PZAP-së.
Kjo komunë ka gjithësej 11 vendvotime.
Sipas rezulateteve të së dielës, pas numërimit të 100% të votave, Mehmet Balazhi i PDK-së doli fitues me 50.98% të votave të përgjithshme.
I dyti doli kandidati i pavarur, Rufki Suma me 42.47% të votave.
Ndërsa, Sherif Berisha i Lëvizjes Vetëvendosje mori vetëm 6.54% të votave.