Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), sot do të filloj procesi i numërimit të votave me kusht për zgjedhjet lokale që u mbajtën më 17 tetor 2021.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Gjatë ditës së sotme planifikojmë të bëhet numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta. Mediat dhe vëzhguesit do të njoftohen paraprakisht për orën e fillimit të numërimit”, ka thënë Elezi.
Ndryshe gjatë ditës së djeshme në QNR ka përfunduar numërimi i votave jashtë Kosovës, të cilat janë dërguar përmes postës në adresë të KQZ-së gjatë periudhës 15 shtator – 15 tetor.
Nga numërimi i këtyre votave në 15 komuna kryesojnë kandidatët e LVV-së (Prishtinë, Prizren, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Mitrovicë, Podujevë, Fushë Kosovë, Obiliq, Kamenicë, Shtime, Drenas, Malishevë, Vushtrri, Kaçanik).
Në 7 komuna më shumë vota nga diaspora kanë kandidatët e LDK-së (Pejë, Istog, Dragash, Junik, Suharekë, Lipjan, Novobërdë).
Në 3 komuna prijnë kandidatët e PDK-së (Viti, Skenderaj, Hani i Elezit), ngjashëm sikurse kandidatët e AAK-së të cilët janë të parët në 3 komuna (Rahovec, Deçan, Klinë).
Sipas rezultateve preliminare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga 38 komunat ku janë zhvilluar zgjedhjet, në 16 komuna janë shënuar fitore të partive dhe 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.