Sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Zenka Pumper është dëshmitarja e parë e Zyrës së Prokuronit të Specializuar dhe është dëgjuar të premten për ditën e katërt me radhë. Dëshmia e saj nuk ka përfunduar dhe gjykimi do të vazhdojë të hënën, më 25 tetor.
Në shtator 2020, hetueses së ZPS-së, Zenka Pumper i ishte kërkuar që të shqyrtojë dokumentet që pretendohen të jenë sekuestruar në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilat pastaj ajo i ka ndarë në paketa 1, 2 dhe 3.
Avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees ka pyetur dëshmitaren e ZPS-së rreth paketës 3 në të cilën ka dokumente të klasifikuara si konfidenciale, për çka ajo ka thënë se nuk e di kush i ka klasifikuar ato si konfidenciale.
Ish-krerët e OVL-UÇK, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.
Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.