Një muaj fushatë nuk duket t’i kenë mjaftuar kandidatit për kryetar të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hysenit, marrë parasysh se ai si figurë thotë të ketë qenë në disavantazh në krahasim me Lutfi Hazirin e LDK-së, i cili po tenton të fitojë mandatin e pestë në këtë komunë.
Ndonëse doli i pari në zgjedhjet e 17 tetorit, e arsyeshme për të do të ishte që të kishin vetëm edhe një javë më shumë hapësirë për ta thelluar edhe më shumë fitoren në komunën e cila tashmë është në balotazh.
“Figura ime në Gjilan është shumë më pak e njohur sesa figura e Albin Kurtit në nivel vendi ose dhe në Gjilan mbase. Kjo besoj që e ka ndikimin dhe efektin e vet. Për shembull në krahasim me kundërkandidatin tim që është figurë e njohur prej kohësh e vitesh, figurë me rëndësi e me pozicione të ndryshme, unë kam qenë në disfavor që nga fillimi për shkak se kam qenë shumë më i panjohur për opinionin në Gjilan. Mbase po të kishim pasur edhe 1 javë më shumë fushatë, fitorja jonë do të ishte shumë më e thellë sesa kaq, ka pas edhe shumë faktorë të tjerë”, u shpreh Hyseni në ATV.
Sipas tij, nuk mund të bëhen krahasime mes rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve nacionale dhe atyre lokale, pasi për secilën prej tyre ka pasur një natyrë krejt tjetër të angazhimit.
“Është interesant se në nivel nacional unë kam marrë rreth 15-mijë e diçka vota që kam qenë me sa kujtoj deputeti më i votuar ndonjëherë në anamoravë. Ndërsa kur kam garuar në zgjedhjet lokale, shumë pak njerëz e kanë njohur atë se çka përfaqësojë unë. Në zgjedhjet nacionale e merr botën për shkak të subjekti dhe për shkak të asaj se çka përfaqëson subjekti, mirëpo jo edhe në nivel lokal”, tha ai.
Hyseni shtoi se po të përsëriteshin zgjedhjet nacionale, LVV si parti do të rriteshin me votë.
“Unë besoj se po të përsëriteshin tash zgjedhjet e nivelit nacional, do të rriteshim me votë. Kjo nuk nënkupton se ne jemi ngritur përgjysmë me votë, por nënkupton që jemi ngritë në raport me 32-mijëshin fillestarë që e kemi marrë”, tha tutje ai.