Rasti i dënimit skandaloz 8 mujor të dhunuesit të vajzës 15 vjeçare në Pejë nxiti reagime dhe pakënaqësi të shumta nga qytetarët dhe OJQ-të, duke e cilësuar aktgjykimin e gjyqtares Florije Zatriqi si skanzaloz.
Lidhur me këtë, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj, që ta rishqyrtojë lëndën e Prokurores Lirije Morina, që ka të bëjë me këtë rast, shkruan Jepi Zë.
Lumezi i ka kërkuar Kurmehajt që nga të gjeturat të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, si autoritet kompetent, që të rishqyrtojë lëndën penale PP.nr. 68/12 të prokurores Lirije Morina dhe nga të gjeturat të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në njoftim.
Vajza e mitur 15 vjeçare ishte dhunuar në janar të vitit 2012 në një shtëpi në Gjakovë nga dhunuesi fajtor dhe dy persona të tjerë.