Lëvizja VETËVENDOSJE! hapi zyrtarisht sot fushatën në qytetin e Gjilanit. Përmes një tubimi madhështor, gjilanasit e shprehen mbështetjen e fuqishme për ndryshimin, i cili pritet të ngjajë me 11 qershor.
Kryetarja e Qendrës së Gjilanit dhe kandidatja për deputete, Besa Baftiu, përmendi problemet e Gjilanit që e bëjnë këtë qytet të investojë besim në VETËVENDOSJE! që të mund të ketë ndryshimin që e ka të domosdoshëm.
“Një ndër regjionet më të zhvilluara në të kaluarën dhe me një rëndësi të jashtzakonshme gjeostrategjike dhe gjeopoltiike si urë lidhëse mes Kosovës dhe popullatës shqiptare qe padrejtësisht ka mbetur përtej kufirit, Gjilani përgjatë 18 viteve të pasluftës pësoi degradimin, izolimin e madh ekonomik, përjetoi anashkalimin më të egër infrastrukturor dhe privimin e skajshëm nga investimet madhore. Asnjë investim kapital me interes kombëtar nuk përshkoi Gjilanin përgjatë 18 viteve të kaluara. Madje Gjilani në vend të zhvillimit pësoi tkurrje hapësinore territoriale prej mëse 12.400 hektarë në shkëmbim të avancimit të karrierave personale të politikanëve të papërgjegjshëm”, tha Baftiu në fjalën e saj.
Kurse, kandidatja tjetër për deputete, Albulena Haxhiu, theksoi nevojën për investime në sistemin shëndetësor dhe sigurime shëndetësore për çdo qytetar, si dhe nevojën që çdo familje të ketë kulm mbi kokë.
“Qeveritë e djeshme i kanë shndërruar në brengë dhe hall fëmijët, me ne nuk do të jetë më ashtu”, tha ndër të tjera Haxhiu.
Më pas, Kryerari Visar Ymeri rikujtoi problemet e 4 viteve të fundit, mosplotësimin e premtimeve dhe politikave të pushtetit, sukseset e Lëvizjes në opozitë me zmbrapsjen e “Zajednicës” dhe demarkacionit. Ai po ashtu premtoi hetimet për privatizimet problematike, hetimin e plotë parlamentar mbi ShIK-un dhe hetimin ndërkombëtar për vdekjen e aktivistit Astrit Dehari, me ç’rast tha se Astriti është dëshmia më e madhe e rrënimit total që ka pësuar vendi ynë nga klani “Pronto” dhe këta zaptues të shtetit.
“Këta politikanë me bateria do të lodhen shumë shpejt. Edhe tenderin për bateria e kanë vjedhur duke përfunduar me bateria me cilësi shumë të dobët dhe çmim të lartë”, tha Ymeri, dhe më pas kritikoi pushtetin se është bërë qesharak, ku kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti bën premtime absurde mbi buxhetin, kurse Ramush Haradinaj ngatërron figurat historike kulturore me priftërinj, e për Veselin tha se po luan me lodra me bateria. Në përfundim të fjalës së tij, ai prezantoi kandidatët e Gjilanit dhe zonës së Anamoravës.
Pas kryetarit Ymeri, gjilanasve iu drejtua kandidati për kryeministër, Albin Kurti, i cili fjalën e filloi duke nderuar figurat historike të zonës së Gjilanit, e më pas tregoi për degradimin e nderimeve të tyre nga institucionet shtetërore.
“Politika e sidomos pushteti i kanë shumë borxh qytetarëve të Kosovës. Me fitoren e VETËVENDOSJE!-s populli fillon të shpaguhet e të dëmshpërblehet, fillon kthimi i borxhit të popullit. Fitorja e Lëvizjes është interes shoqëror, demokraci qytetare dhe nevojë ekonomike. Me fitoren e VETËVENDOSJES! bujkut ia kthejmë rendimentin, fabrikave ua kthejmë prodhimin, shkollave arsimin, spitaleve shëndetësinë dhe bizneset e vogla dhe të mesme shteti gëzohet teksa i ndihmon dhe nuk qeshet teksa i gjobit”, tha Albin Kurti.
Tutje premtoi se Gjilani do ketë një zonë industriale të pozicionuar mirë në magjistralen që do ta transformojë atë në qendër me rëndësi ekonomike rajonale në magjistralen Gjilan-Ferizaj, kurse për fermerët premtoi se do të ndahen mjete financiare për nxitjen e produktivitetit. Ai e përmbylli fjalën e tij dhe këtë tumbi madhështor duke folur për 40 priotitet tona, me theks të veçantë për reformimin e administratës, shtesa për fëmijë, 160 çerdhe të reja, 40000 banesa sociale, arsim falas, rritje e pensionit të moshës, dhe trefishimin e inspektorëve të punës.