Prishtinë- Ilaçi ‘‘Hericeptin’’, i cili përdoret për trajtimin e kancerit të gjirit, mungon prapë në Barnatoren Qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, konfirmon se mungon ky ilaç teksa thotë se do të vijë të martën, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Kurtishi ka shtuar se ky nuk është ilaçi i vetëm që mungon.
‘‘Po mungojnë plotë, plotë mungojnë’’, ka thënë ai.
“Hericeptina” apo siç njihet ndryshe me emrin Trastuzumab, është një ilaç për kancer që përdoret në fazat e hershme edhe më të vona të kancerit të gjirit. Po ashtu përdoret edhe për trajtimin e kancerit të stomakut dhe kushton rreth 1 mijë e 500 euro.
‘‘Betimi për Drejtësi’’, kishte raportuar në gusht të këtij viti se ky ilaç mungonte prej tre javësh, kurse më furnizimin e këtij ilaçi, drejtori i Onkologjisë kishte thënë se furnizimi i tij është i mjaftueshëm deri në tre mujorin e parë të vitit 2022.
Kurse, në përgjigjen e dhënë përmes telefonit ka thënë se ai furnizim ka qenë vetëm për atë periudhe pasi kanë pasur mungesë të buxhetit.
Për mungesën e ilaçit ‘‘Herceptinë’’, dhe mungesave të terapive tjera ka treguar për ‘‘Betimi për Drejtësi’’, edhe A.H i cili po e trajton nënën e tij me kancer të gjirit në Kliniken e Onkologjisë.
Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës së Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra në një interviste për ‘‘Betimi për Drejtësi’’, kishte thënë se pacientët që blejnë vetë barëra të Listës esenciale duhet ta padisin shtetin dhe të kërkojnë kompensim./BetimipërDrejtësi