Kryeministri Albin Kurti i vlerëson si të suksesshme tetë muajt e qeverisjes, ndërsa thotë fjalë të mira dhe për ministrat e kabinetit qeveritar.
Ai thotë se ministrat e tij janë shumë të përgatitur mirë, të edukuar dhe profesionistë të aftë, dhe njërëz që të pakorruptueshëm.
“Unë besoj që kemi qenë të sukseshëm gjatë këtyre tetë muajve të qeverisjes sonë, kemi fituar një mandat të qartë dhe tre kandidatët në listën tonë zgjedhore të shkurtit, sot drejtojnë tri institucionet kryesore të vendit, por edhe kam një kabinet ministrash shumë të përgatitur mirë, të edukuar dhe profesionistë të aftë, ndërsa në anën tjetër njihen si qytetarë të përgjegjshëm në shoqëri, njerëz që janë të pakorruptueshëm. Gjatë këtyre tetë muajve ne kemi arritur të luftojmë korrupsionin si asnjë qeveri më parë”, ka deklaruar Kurti në një intervistë për Dojçe Vele, transmeton Reporteri.net.
Ai shton më tej se deri tani kanë shkatërruar 31 grupe kriminale dhe përmend përgatitjen e dokumentit për veting në drejtësi.
“Kemi pasur 437 operacione policore, kemi bërë 746 bastisje dhe kemi shkatërruar 31 grupe kriminale dhe kemi përgatitur projekt-dokumentin për vetingun në drejtësi në mënyrë që gjyqësori dhe prokuroria jonë të bëhen me integritet dhe të jenë eficiente dhe shumë aktive”, thotë ai.
Kurti ndërsa flet për ekonominë dhe sot ka arritje ekonomike shumë të mira.
“Rritja ekonomike në vitin 2021 sipas Bankës Qendrore do të jetë së paku 9.9 përqind të produktit vendor bruto dhe me këtë rast vlen të theksohet se eksporti është rritur me 68 përqind, ndërsa administrata tatimore ka rritur të ardhura prej 34 përqind krahasuar me vitin e kaluar. Na kritikuan që po krahasohemi me vitin 2019 me pandeminë, ndonëse edhe ky është vit i pandemisë, të hyrat tatimore krahasuar me vitin 2019 janë 21 përqind më të larta gjithnjë pa i ndryshuar politikat fiskale. Buxheti për vitin 2022 do të jetë mbi 2.7 miliard euro apo 8.7 përqind më i lartë sesa rishikimi i tij në mesvit dhe mbi të gjitha jemi të lumtur për menaxhimin e mirë të pandemisë. E kemi gjetur me zero vaksina, zero kontrata për vaksina, ndërkaq sot që po flasim i kemi përdorur 1.6 milion doza vaksine”, ka deklaruar Kurti.