Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës e përkrah plotësisht kërkesën e Sindikatës të Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës për të mbajtur protestë.
Në njoftimin e FSShK-së thuhet se kërkesat e njëjta si SBASHK-u i kanë parashtruar edhe ata në protestën e fundit që e kanë mbajtur më 8 nëntor.
“FSSHK në koordinim me Sindikatat e tjera menjëherë pas zgjedhjeve lokale do t’i adresohet Qeverisë me kërkesën e njëjtë që Sindikatat të përfshihen në proces të hartimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe që i njëjti të implementohet me buxhetin e vitit 2022”.
“Qeveria edhe njëherë ka treguar se nuk i përfill punëtorët shëndetësor respektivisht të punësuarit në institucione publike duke ia dërguar Projektligjin për paga në sektorin publik për komente menaxhmenteve të institucioneve e jo përfaqësuesve të punëtorëve të cilët me kohë kanë reaguar për transparencë dhe bashkëpunim në hartim të këtij Projektligji”.
“Në fund njoftim për punëtorët shëndetësor Projektligji i cili po qarkullon tek menaxhmentet nuk është i plotësuar me shtojcën respektivisht Aneksin,nuk dihet se me cilin koeficient janë përllogaritur pagat, andaj ne të gjithë së bashku duhet të jemi unik dhe të mos lejojmë që fatin tonë ta përcaktojnë të tjerët”, thuhet në njoftim.