Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, të mbajtura ditën e djeshme, rezultati përcaktoi një kryetar të ri për Komunën e Gjilanit.
Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje mori 21 mijë e 374 vota apo në përqindje 51,03%, ndërsa kandidati tjetër Lutfi Haziri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), mori 20 mijë e 515 vota, apo shprehur në përqindje 48,97%
***
Alban Hyseni ka lindur më 23 tetor të vitit 1990 në Gjilan. E ka të përfunduar Fakultetin Juridik dhe mbanë titullin master në programin Juridik Penal.
Në vitin e katërt të studimeve ka filluar punën si tutor studentësh, për të vazhduar më pas si asistent në lëndët e fushës juridiko-penale përgjatë viteve 2013-2015.
Ka qenë i angazhuar edhe në pozitat e Zyrtarit për Marrëdhënie me Jashtë (2013-2014), Zyrtar i Cilësisë (2014-2016), pastaj edhe si Sekretar i Përgjithshëm i Kolegjit “ARBËRI” dhe Koordinator i UBT-së në Gjilan. Ai poashtu është pjesë e stafit akademik në kuadër të Fakultetit Juridik për lëndët e fushës Penale. Vazhdon të jetë i angazhuar me orar të kufizuar në Kolegjin UBT.
Alban Hyseni i është bashkuar Lëvizjes VETËVENDOSJE! në vitin 2010. Ka qenë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes për dy mandate dhe aktualisht është koordinator i Qendrës së Lëvizjes në Gjilan.
Në zgjedhjet e vitit 2019 u zgjodh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku u angazhua në Komisionin Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, dhe Rregullore të Kuvendit, si dhe Mbikqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Edhe në zgjedhjet e vitit 2021, u rizgjodh deputet i legjislaturës së tetë.
Pas fitores së arritur në garën e balotazhit të 14 nëntorit, tani ai do të jetë kryetari i ri i Komunës së Gjilanit.