Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke u bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19, ka thënë që t’i kapërcejnë paragjykimet për vaksinat dhe të vaksinohen.
Ai përmes një video-mesazhi, pas takimit të tij me Ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se të mërkurën e 17 nëntorit u tejkalua administrimi i 1.6 milionë vaksinave.
“Vaksinimi është dëshmuar se është mënyra më efikase për t’u mbrojtur dhe për ta mposhtur virusin. Ata që kanë dyshime u bëj apel që t’i kapërcejnë paragjykimet për vaksinat”, është shprehur Kurti.
“Gjatë këtij takimi u informova për ecurinë e procesit të vaksinimit dhe situatën epidemiologjike. Sot kemi tejkaluar administrimin e 1.6 milionë vaksinave kundër COVID-19. Me një dozë janë vaksinuar 64 për qind e popullatës mbi moshën 16 vjeçare, ndërsa me dy dozat janë vaksinuar mbi 56 për qind”, shtoi ai.
Ministri i ri i Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifi, në ditën e parë të punës së tij si ministër, në zyrën e tij e ka ftuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si mysafirin e tij të parë.
Gjendjen në Kosovë me pandeminë COVID-19, Kurti e quajti ndër më të mirën në Evropë.
“Situata aktuale epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë është më e mira në Ballkanin Perëndimor e ndër më të mirat në gjithë Evropën”.
“Në 30 ditët e fundit, gjithsejtë kemi numër një shifror të vdekjeve, ndërsa në dy javët e fundit ka rënë në dy të tretat numri i infeksioneve”.
Por, siç thotë Kurti, asgjë nuk ka përfunduar.
“Në veçanti tani që kemi dy variante në qarkullim ,atë Delta dhe Delta plus që përhapet edhe më shpejt. Prandaj duhet të përgatitemi më mirë që të parandalojmë një valë të re të këtij varianti super shpërndarës”.
Ai u ka bërë thirrje të posaçme prindërve dhe mësimdhënësve që t’i inkurajojnë sidomos të rinjve që të vaksinohen.
“Duke u vaksinuar i mbajnë nxënësit ë shkolla e shkollat të hapura”.
“Vaksina kemi mjaftueshëm dhe të gjitha ato janë të dëshmuara për nga siguria dhe efikasiteti. Vaksinohuni për veten, për më të dashurit tuaj dhe për vendin tonë. Bashkë ia dalim”, përfundoi ai.
Ndërkaq, Ministri i ri i Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifi, në ditën e parë të punës së tij si ministër, në zyrën e tij e ka ftuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si mysafirin e tij të parë.
“Gjatë takimit me Ministrin Latifi, Kryeministri Kurti u njoftua për ecurinë e vaksinimit kundër Covid-19 dhe atij kundër gripit sezonal, gjendjen epidemiologjike dhe për punën vetëmohuese të profesionistëve shëndetësorë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.