Masat kufizuese ndaj koronavirusit i dikton situata epidemiologjike, thonë profesionistët shëndetësorë në Kosovë.
Sipas tyre, ato duhet të ashpërsohen, nëse Kosova regjistron raste me variantin e ri Omicron, i cilësuar si “shqetësues” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Qeveria e Kosovës miratoi të martën masa të reja kundër koronavirusit, të cilat, mes tjerash, kërkojnë nga të gjithë personat që do të hyjnë në Kosovë pas datës 3 janar, 2022, të kenë dëshmi të vaksinimit të plotë, ose një dozë të vaksinës bashkë me test negativ PCR, ose një dozë të vaksinës me dëshminë e kalimit të sëmundjes.
Me masat aktuale, hyrja në Kosovë mundësohet me test negativ PCR.
Mbajtja e maskës do të vazhdojë të jetë obliguese edhe me masat e reja, ashtu si edhe kufizimi i lëvizjes nga mesnata deri në orën 05:00.
Gjyle Mulliqi – Osmani, mikrobiologe e pensionuar, thotë për Radion Evropa e Lirë se masat e reja janë adekuate, por shton se ato duhet të shtrëngohen në rast të përhapjes së variantit Omicron.
“Lidhur me variantin e ri, ende ka të panjohura. Prandaj, edhe masat ende nuk janë shumë strikte. Ka mundësi që, varësisht nga situata dhe njohuritë e reja për variantin Omicron, këto masa të ndryshojnë dhe të bëhen shumë më të ashpra”, thotë Mulliqi – Osmani.
Infektologu Xhevat Demiri, i cili shërben në qytetin e Gjilanit, thotë se institucionet e Kosovës duhet të jenë vigjilente, marrë parasysh paralajmërimet e OBSH-së se varianti Omicron paraqet rrezik për rritjen e infeksioneve.
“Në Kosovë ende nuk është konfirmuar asnjë rast me variantin Omicron, mirëpo ne jemi të rrethuar nga Evropa [që ka raste të tilla] dhe duhet të jemi më vigjilentë. Meqenëse, të gjitha vendet janë vënë në shërbim të parandalimit të këtij varianti, gjithsesi edhe Kosova duhet të jetë e gatshme për masa parandaluese”, thotë Demiri, pa dhënë detaje se cilat do të mund të ishin ato.
Varianti Omicron është identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut, muajin e kaluar. Pas disa analizave, OBSH-ja e ka shpallur variant shqetësues, por ka thënë se do të duhen javë për të kuptuar efektin real në popullatë.
“Omicron ka një numër të paprecedentë mutacionesh – disa prej të cilave janë shqetësuese për ndikimin e mundshëm në trajektoren e pandemisë”, tha OBSH-ja në paralajmërimin e lëshuar më 29 nëntor.
Raste të infektimit me këtë variant kanë raportuar tashmë disa vende, përfshirë Kanadanë, Britaninë e Madhe, Portugalinë, Belgjikën, Republikën Çeke dhe Holandën.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes, dhjetëra shtete kanë vendosur ndalesa udhëtimi me Afrikën e Jugut.
Kosova, aktualisht, ka situatë më të qetë epidemiologjike. Gjatë shtatë ditëve të fundit, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 62 raste të të infektuarve me koronavirus dhe një viktimë. Shifrat tregojnë ulje të madhe, krahasuar me periudhën e gushtit, kur ka pasur ditë me mbi 1,000 raste të reja dhe dhjetëra viktima.
Me rënien e numrit të rasteve ka rënë edhe interesimi i qytetarëve për vaksinim.
Nga 20,000 vaksina të dhëna gjatë një dite në shtator, mesatarja ditore e vaksinave të dhëna në nëntor ka qenë rreth 2,000.
Në total, mbi 42 për qind e qytetarëve të Kosovës janë vaksinuar plotësisht.
“Qytetarët duhet të vaksinohen”
Mikrobiologia Gjyle Mulliqi – Osmani u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen.
“Është i paimagjinueshëm dhe i pajustifikueshëm qëndrimi i qytetarëve karshi vaksinimit. Në bazë të periudhës kur Kosova ka filluar procesin e vaksinimit [v.j. në fund të marsit], në muajin dhjetor duhet të merret vendimi për vaksinim me dozën e tretë [përforcuese]. Apeli për vaksinim dhe mbajtje të maskës duhet të jetë gjithmonë i pranishëm”, thekson Mulliqi – Osmani.
Infektologu Xhevat Demiri thotë se autoritetet në Kosovë duhet të shqyrtojnë mundësinë që vaksinimi kundër koronavirusit të bëhet i obligueshëm.
Tash për tash, Austria është demokracia e parë perëndimore që ka marrë vendim që qytetarët e saj të vaksinohen me detyrim, nisur nga shkurti i vitit të ardhshëm.
“Vaksina, së paku për gjashtë muaj, e mbron qytetarin. Ne duhet të mësohemi dhe vazhdimisht të marrim vaksina, sepse, siç duket, ne do bashkëjetojmë gjatë me lloje të ndryshme të viruseve”, thotë Demiri.
Në Kosovë përdoren vaksinat e Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca – të dyja të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave.
Të drejtë për t’u vaksinuar kanë të gjithë personat mbi 12 vjeç.