Pas përgatitjeve të Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL) lidhur me zgjerimin e këtij funksioni për përdorim edhe në Gjykatën e Apelit të Kosovës, shpërndarja automatike e lëndëve pritet të filloj në Gjykatën e Apelit, fillimisht me Departamentin Administrativ pastaj edhe me departamentet tjera në këtë gjykatë.
Për këtë qellim, Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, së bashku me Menaxherin e Projektit, Fatmir Rexhepi dhe Drejtorin e Departamentit të Statistikave, Besnik Ramosaj, vizituan sot Gjykatën e Apelit me ç’rast njoftuan U.D. Kryetarin e Gjykatës së Apelit, Afrim Shala lidhur me aktivitetet e planifikuara rreth implementimit të këtij funksioni.
Përmes implementimit të këtij funksioni në gjykatat themelore, dhe tani edhe në Gjykatën e Apelit, KGJK ka rritur transparencën duke hequr nga përdorimi mënyrën manuale të shpërndarjes së lëndëve, pasi që caktimi i lëndëve te gjyqtarët tani bëhet në mënyrë automatike duke eliminuar mundësinë e manipulimit të procesit të shpërndarjes së lëndëve dhe duke përmirësuar procesin e punës në procedimin e lëndëve.
Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj tha se transformimi i procesit të punës nga mënyra manuale në elektronike, është një nga synimet tona që do të rezultojë në një sistem gjyqësor më transparent dhe më të besueshëm për të gjithë.