Me rastin e 3 dhjetorit, Ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, kryetari në detyrë i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka deklaruar se se viti 2021, me propozim të Handikosit, është trajtuar si vit i mundësive të barabarta.
Haziri ka deklaruar se kanë punuar mbi parimin dhe besimin se Zoti na ka falur të barabartë, derisa theksoi se parku “Baja” i cili është paraparë të ndërtohet, i është dedikuar këtij komuniteti.
“Në Ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, ndihem mirë që programi infrastrukturor për qasje dhe mundësi të barabarta është në implementim e sipër në Gjilan. Me Handikos-in dhe shoqatat që trajtojnë këta persona, kemi pasur bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë, gjithnjë në mbështetje të personave me aftësi të kufizuara dhe me propozim të tyre vitin 2021 e kemi shpallur vit të mundësive të barabarta. Ne kemi punuar në vazhdimësi mbi parimin dhe besimin se Zoti na ka falur të barabartë dhe mungesa e një gjymtyre zëvendësohet natyrshëm për t’u bërë të barabartë në jetë. Urime 3 dhjetori, festofshim bashkë gjithmonë në kushte më të mira”, ka shtuar Haziri.
“Nihem shumë i lumtur që projekti im i zemrës Lagjja e Lumtur tashmë e ka parë dritën, të cilën e kemi ndërtuar për fëmijët pa prindër, nënat vet-ushqyese, grupet e organizatat të cilët i trajtojnë nënën dhe gruan, si viktima të dhunës në familje, që përkujdesen për personat me aftësi të kufizuara, që i mbrojnë dhe integrojnë të verbrit në shkollim, që ndihmojnë shurdhmemecët për të komunikuar, jetuar e punuar bashkërisht dhe për fëmijët me sindrome, për t’u integruar në sistemin e arsimit dhe jetën publike”, ka shtuar Haziri..