Diaspora kosovare, përveç parave që shpenzon gjatë vizitave në Kosovë, kontribuon edhe gjatë kohës sa nuk janë në vendin tonë, duke dërguar vazhdimisht para.
Mërgimtari, Milaim Beka, i cili po kthehej në Gjermani pas pushimeve që i kaloi në Kosovë, ka thënë se gjatë kohës sa qëndron në vendlindje shpenzon mbi dy mijë euro.
“Verës shpenzoj më shumë, e dimrit më pak. Verës ndoshta nga 2 deri në 3 mijë euro, dimrit më pak. Edhe dimrit rrimë më pak e verës më shumë”.
Sipas Bankës Qëndrore të Kosovës, nga fillimi i këtij viti deri më tani, shuma e remitencave ka arritur në 860 milionë euro.
“Vlera e remitencave të dërguara nga mërgimtarët për periudhën janar-shtator 2021, ka arritur në 860.4 milionë euro, apo 163.6 milionë më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar ku vlera e remitencave të dërguara ishte 696. Milionë euro”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Njohësit e ekonomisë thonë se këto mjete ndikojnë në ekonomitë individuale, por ata bëjnë thirrje që mërgimtarët t’i orientojnë investimet e tyre në fushat ku kanë njohuri dhe ku mund të hapën vende të reja pune.
“I bëjmë thirrje mërgatës tonë që remitencat me i orientu në investime në fushat që ata aknë më shumë njohuri për to, edhe në të cilat konsideorojnë që munden me pas zhvillime më të mëdha në mënyrë që me rrit numrin e punësimit dhe me ndiku në zhvillimin ekonomik”, tha Mirjeta Gashi nga Oda e Afarizmit të Kosovës.