Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi prezantoi sot masat e reja Anti-COVID.
Latifi me këtë rast bëri të ditur se qytetarët duhet të paraqesin dëshminë se janë të vaksinuar, apo testin negativ të COVID-19 nëse duan të shfrytëzojnë transportin publik dhe privat.
Këto dëshmi, do të vazhdojnë të kërkohen edhe në gastronomi e qendra tregtare.
“Për të evituar mbingarkesën spitalore, mbylljen e shkollave dhe të ekonomisë, punonjësve të institucionet publike dhe private, udhëtarët që shërbehen me transport publik dhe privat, nxënësit dhe studentët, shfrytëzuesit e qendrave tregtare dhe gastronomisë, do t’u kërkohen dëshmitë si vaksinimi i plotë dhe i pjesshëm, bashkë me të rezultatin negativ të PCR”, ka thënë ai.
Mbajtja e maskës do të vazhdojë të mbetet obligative, ndërsa kufizimi i qarkullimit vazhdon të jetë nga ora 00:00 deri në ora 5 të mëngjesit. Me përjashtim të rasteve të caktuara.