Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 3 vite e 5 muaj burgim Skender Krasniqin, pasi i njëjti u shpall fajtor për vrasjen e djalit të tij nga pakujdesia.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media, ku thuhet se Krasniqi u dënua për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia” nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“I akuzuari S.K është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) vite e pesë (5) muaj, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi. Koha e kaluar nën masën e paraburgimit për të pandehurin do të llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim prej datës 27.01.2021.”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar me burgim sipas aktgjykimit të shpallur nga kjo gjykatë.
“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes kësaj gjykate.”, përfundon komunikata.
Ndryshe, vrasja në fjalë ka ndodhur më 27 janar 2021. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.