Me parullat “Jo i bjen JO!”, “Në taksi, në banesë, në çdo hapësirë e në çdo kohë, seksi pa pëlqim është dhunim”, Organizata “Qika”, ka protestuar sot para Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të kundërshtuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, për rastin e dhunimit në grup të një 19-vjeçareje nga pesë persona, raporton Gazeta Sinjali.
Kjo organizatë e ka vlerësuar të papranueshëm aktgjykimin që liroi pesë të akuzuarit, siç u tha, duke legjitimuar dhunuesit dhe fajësuar viktimën. Po ashtu, “QIKA”, cilësoi se gjuha e përdorur në arsyetimin e kësaj gjykate është seksiste.
“Ky aktgjykim është krejtësisht i papranueshëm për neve sepse legjitimon dhunuesit dhe fajëson viktimën. Gjykata ka përdorur shprehje tejet seksiste dhe diskriminuese në bazë të gjinisë për të arsyetuar lirimin e dhunuesve”, thuhet ndër të tjera në reagimin e organizatës.
“Ne i rikujtojmë trupit gjykues se integriteti fizik dhe seksual nënkupton të drejtën e secilit dhe secilës për të marrë vendime për trupin dhe jetën seksuale të tij apo saj.”
“Qika” ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që menjëherë të ndërmarrë masa disiplinore ndaj gjykatësve të trupit gjykues të këtij rasti.