Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së këtij rajoni për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Shaban Isufit nga Bujanoci dhe nipit të tij, Fatlum Aliut, të dyshuar për “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, shkruan Gazeta Sinjali.
Ata u arrestuan të shtunën mbrëma, gjatë një aksioni të Anti-drogës së Policisë së Kosovës, që rezultoi me kapjen e rreth 2 kg heroinë dhe do të qëndrojnë në paraburgim për një muaj.
Shaban Isufi kishte urdhërarrest aktiv të kësaj gjykate për vuajtje të dënimit prej 18 muaj e 40 ditë.
Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se më datë 04.12.2021 rreth orës 14:50 minuta me rastin e bastisjes nga Policia e Kosovës, në banesën e marrë me qira nga i pandehuri Isufi, në Gjilan, janë gjetur një peshore digjitale dhe 5 paketime me substancë narkotike të llojit heroinë me peshë prej 30.6 gram.
Ndërkaq, në shtëpinë e Aliut, e cila u bastis atë natë, janë gjetur një peshore digjitale dhe 17 qese –paketime me substancë narkotike, e llojit heroinë, me peshë prej 1 kg e 713.8 gram, të cilat daja i tij, ia kishte lënë atij për t’i shitur, në mënyrë që të fitojë nga shtije e substancës narkotike.
Me këto veprime, gjykata vlerëson se dajë e nip dyshohen se kanë kryer veprën penale në bashkëveprim “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Andaj, sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve të lartcekur, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.