Kryetari i deritanishëm i Gjilanit, Lutfi Haziri, në një ceremoni të organizuar, i ka dorëzuar të enjten zyrtarisht detyrën kryetarit të ri, Alban Hyseni.
Gjatë adresimit në një konferencë të përbashkët për media, Haziri i ka uruar shëndet e suksese Hysenit në detyrën e kryetarit.
“Jam i lumtur që pas një shërbimi për më shumë se 13 vite si kryetar i Gjilanit në kohë të ndryshme, sot po e përfundoj mandatin e dytë të rregullt dhe po e dorëzoj tek kryetari i zgjedhur, z. Alban Hyseni, i cili do të jetë kryetar i të gjithëve, duke përfshirë edhe kryetar i imi. I uroj shëndet dhe, mbi të gjitha, lutem që ta përcjell suksesi. Një angazhim i tij në lidership në Gjilan nënkupton ecje përpara në zhvillim e prosperim, jo stagnim”, ka thënë Haziri.
“Unë edhe ashtu kam marrë rrugë tjetër politike që do të jem në funksion sërish të angazhimit tim, por i sigurova që roli ynë ka me qenë kontruktiv, mbështetja ka me qenë e sinqertë dhe angazhimi ynë ka me qenë mbi bazë të interesit të qytetit, komunës e të nahisë sonë.”, ka shtuar Haziri.
Ndërkaq, kryetari i sapo zgjedhur i Gjilanit, Alban Hyseni, e ka falënderuar Hazirin për organizimin e ceremonisë së dorëzim-pranimit të detyrës, duke i uruar shëndet e suksese në rrugëtimin e tij në politikë.
“Unë sapo e kam pranuar detyrën e kryetarit të Gjilanit. Për mua është nder dhe kënaqësi të veçantë që pranimin dhe dorëzimin e detyrës e kemi bërë bashkë me kryetarin aktual të Komunës, të cilit i urojmë, po ashtu, shëndet e shumë suksese në rrugëtimin e tij vazhdueshëm në politikë. Z. Haziri është njëra prej figurave e cila është identifikuar Gjilani e Anamorava si lider i politikanëve, ndërkaq tash edhe për shkak të nevojës dhe për shkak të kohës është momenti që të sjellim një politikë të re e një frymë të re, një lloj lidershipi të ri në Gjilan”, ka thënë kryetari Hyseni.
“Ky lloj dakordimi mes nesh për vazhdim të bashkëpunimit dhe të një lloj të konstruktivitetit politik në Gjilan e për të mishëruar edhe njëherë mendësinë politike dhe këtë mentalitetin përparimtar të gjilanasve, besoj që është një mesazh jashtëzakonisht i mirë, edhe për të ardhmen që na pret, por edhe për projektet dhe për punën e mirë që e pret Gjilanin në të ardhmen”, ka shtuar Hyseni.