Njëri ndër figurat më të rëndësishme të Lidhjes Demokratike në Gjilan, aktivisti e veprimtari i shquar, ish nënkryetar i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, në një postim në rrjetin e tij social, Instagram, ka theksuar se, shërbimi ndaj qytetarëve ndershmërisht dhe profesionalisht, ka bërë që t’ia dorëzojmë mandatin kryetarit, Aban Hyseni, me krenari dhe ballëlartë për punët e mëdha përgjatë këtyre viteve. Madje, ai rithekesoi se, ne po shkojmë, për tu rikthyer më të fortë se asnjëherë më parë.
Ja edhe postimi i tij i plotë:
Të dashur qytetarë,
“Jam shumë i lumtur që përgjatë këtyre viteve shërbimi në qeverisjen komunale, u përpjekëm e u angazhuam maksimalisht, së bashku me ekipën qeverisëse, t’i bashkërendojmë dhe t’i dalim në ballë trajtimit dhe kërkesave qytetare, gjithandej. Pas disa mandate qeverisëse, tanimë, qytetarët kanë vendosur ndryshe. Falënderoj qytetarët, aktivistët, strukturat e partisë, e mbi të gjitha, të gjithë akterët me të cilët patëm fatin të jem pranë njëri-tjetrit për të mirën publike për qytetarët e Komunës së Gjilanit. Për mua personalisht, ka qenë nder dhe krenari që më është besuar posti i nënkryetarit nga kryetari Haziri.
Dhënia e hapësirës dhe gatishmëria që t’i shërbejmë qytetarëve ndershmërisht dhe profesionalisht, ka bërë që ne sot, t’ia dorëzojmë mandatin kryetarit Hyseni, me krenari dhe ballëlartë për punën e shpërfaqur përgjatë këtyre viteve. Mirënjohje e përjetshme qytetarëve, aktivistëve, e strukturave, për organizimin e mobilizimin në jetësimin e idealeve të përbashkëta.
Ne, do të jemi besnik të përjetshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në Gjilan, do të punojmë ditë e natë që të jem gardian të një qeverisje të mirëfilltë dhe me duar të pastërta. Kjo përvojë politike, na ka dhënë mundësi, vullnet e inspirim, për të punuar edhe më shumë për Gjilanin tonë. Ne, po shkojmë për tu rikthyer më të fortë se asnjëherë më parë!”, ka theksuar, Ismajli.