Në debatin e organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” në Gjilan me temën “A është i mundur pajtimi ndëretnik në Kosovë – Anamoravë”, ku merrnin pjesë zyrtarë të lartë komunal, zyrtar policor, shoqëria civile dhe mediet u tha se pajtimi ndëretnik realisht ka ndodhë në Anamoravë, por për të qenë i plotë ky pajtim atëherë Serbia duhet të kërkojë falje dhe në të njëjtën kohë Serbia duhet ti arrestojë të dyshuarit për krime lufte.
Në debatin e organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” të përkrahur nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung me seli në Prishtinë kanë folur Valentina Bunjaku Rexhepi, Begzad Sinani, Elmina Mahmuti, Kemajl Shahin e debatues të tjerë.
Valentina Bunjaku Rexhepi kryesuese e Kuvendit Komunal në Gjilan tha se pajtimi ndëretnik në Anamoravë ka ndodhur menjëherë pas luftës.”Gjilani dhe Anamorava njihen për tolerancë ndëretnike, njihen si qytete ku ka lëvizje të lirisë, ku ka integrim, ku ka punësime të komuniteteve. Ne e kemi kryer pjesën tonë të punës, tash i mbetet edhe Serbisë dhe vet komuniteteve që të kërkojnë falje sepse ne nuk harrojmë dhe ne nuk falim” tha Bunjaku.
Kurse Begzad Sinani kryetar i Komunës së Kamenicës tha se pajtimi ndëretnik është temë komplekse dhe e ndërlikuar.”Komunat e Anamoravës janë komuna lidere në këtë drejtim edhe pse para vetës kemi Listën Serbe e cila është jashtë kontrollit qeveritar. Edhe në Kamenicë përkundër faktit që ka ndodhur pajtimi, ende kemi shkolla të ndara që mbajnë nga dy emra”.
Sinani tha se Anamorava asnjëherë s`ka qenë për hakmarrje, por i takon palës serbe që të kryej obligimet e saja, të shuaj strukturat paralele që janë shumë shqetësuese për ne.”Ne kemi gëlltitur mjaft kurse serbët e në veçanti regjimi serb duhet të kërkojë falje për tërë ato krime që i ka bërë në Kosovë” tha Sinani.
Elmina Mahmuti komandante rajonale e policisë në Gjilan tha se në fillim serbët kanë hezituar të punojnë me uniformën e policisë së Kosovës, e tani i kemi rreth130 polic të komunitetit serb.”Në Gjilan e Anamoravë kemi një siguri maksimale për komunitetet, ata ecin lirshëm, kryejnë obligimet e tyre, kanë tregjet e veta derisa është e mbrojtur edhe trashëgimia fetare e kulturore”.
Kemajl Shahin kryetar i komitetit për komunitete në Gjilan tha se është krenar që në Gjilan ka pak eksese ose fare që i takojnë fushën ndëretnike.”Kemi punuar mjaft që ta kemi një qytet për të gjithë qytetarët dhe për këtë meritë kanë qytetarët e Gjilanit. Tani edhe serbët e mbetur duhet të pranojnë të gjitha ligjet e Kosovës” tha ai.
Shaban Terziu nga shoqëria civile tha se është punuar mjaft në integrimin e serbëve në Anamoravë derisa ka mbështetur idenë e Hashim Thaçit.
Nuhi Nuhiu nga AKR tha se pajtimi nuk mund të ndodhë kur Lutfi Haziri e ka sjellur decentralizimin dhe Asociacionin e Komunave serbe.
Gani Neziri nga PDK ka dhënë përvojën e tij prej të burgosuri. “Ne kemi humbur shumë, kemi humbur rininë tonë, na kanë dëmtuar në shumë aspekt, por koha e pajtimit është tani. E mbështes idenë Hashim Thaçit 100% sikurse kërkoj që të gjithë ata që kanë bërë krime të përgjigjen para drejtësisë.
Demir Krasniqi qytetar e krijues tha se tema e pajtimit ndëretnik është pak e hershme sepse ende e kemi gjakun e lagur. “Së pari duhet të zbardhen të gjitha krimet e luftës, duhet të gjendej të zhdukurit”.
Selver Lanjani banor nga Karaqeva tha se derisa Serbia e ka zhytur sofrën e shqiptarit me gjak është ende herët, por jam për atë që pajtimi të ndodhë.
Fatmir Selimi tha se krimet serbe nuk vjetrohen dhe se shteti serb duhet të kërkojë falje për spastrimin dhe gjenocidin e kryer në Kosovë.
Në debat ka folur edhe Arianit Ibrahimi, Muharrem Bajrami etj.