Shkruan: Avni Rudaku
Aty ku ishte kinemaja e qytetit, u bë një objekt i lartë banimi. Atëbotë thoshin se pas privatizimit, do të bëhej edhe një kinema, por më pastaj, çdo rrëfim është i këputur. Nuk dihet më asgjë. Sidoqoftë, objekti është dhe banorët kanë nevojë për një lagje normale përreth. U duhet një jetë e shëndetshme urbane. Veturat e bëjnë kaos aty. Është rrugë dykahshe dhe mbetet rruga më bllokuese gati edhe e qendrës së qytetit, sepse vijnë makinat edhe nga poshtë Stacionit të Policisë, por edhe nga pjesa e epërme e Soliterit të famshëm prej nga orientohemi që nga fundi i viteve të ’70-ta të shek. XX, bashkë me pikën orientuese “Te përmendorja”. Përskaj rrugës janë dy parkingje me para, një autolarje, shporta mbeturinash që tërheqin qentë endacakë, pak errrësirë dhe dy parkingje: për punëtorët e Teatrit dhe një më poshtë, për DKRS-në e institucionet e tjera komunale. Veturat parkohen në mënyrë kaotike brenda e jashtë parkingjeve. E bëjnë kaos duke hyrë e dalë nga to. Ndjej keqardhje sidomos për banorët aty, por edhe për çdo kalimtar/e rasti, veçmas fëmijët, nënat shtatzënë, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara. Është në qendër të Gjilanit dhe mbetet kaos real urbanistik.
Kam veç një pyetje për Komunën e Gjilanit:
A mund ta rregulloni kaosin urbanistik prapa Teatrit të qytetit, qoftë edhe nëse në të ardhmem parashihet atypari ndonjë projekt më gjigant i Komunës së Gjilanit?!
Deri atëherë, vetëm ecni një ditë andejpari, dhe pasi më shajnë me komente në faqe fejsbuku disa militantë partiakë nga Zvicra e gjetiu, do të ndjeheni në faj, sa shumë kam të drejtë!