Lideri i LDK’së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas skandalit që ka ndodhur në Spitalin e Pejës, ku një foshnje e vdekur e mbështjellë me çarçafë u fut në lavatriçe.
Abdixhiku përmes një shkrimi në Facebook e ka akuzuar qeverinë si të paaftë dhe të papërgjegjshme, pasi siç thotë ai, sot janë bërë 75 ditë që Kosova nuk ka ministër të Shëndetësisë.
” As kaq pak s’mund të bëjnë! As kaq pak s’mund t’i japin shëndetësisë. Ndërsa, do të duhej të flisnim për spitale të reja, pajisje e barna më shumë, paga më të larta, shërbime më të denja e sigurime shëndetësore për qytetarë që shpenzojnë qindra miliona euro jashtë vendit – ne jemi në pritje të një ministri pas 75 ditëve. Dhe as kaq pak s’mund të bëjnë; as edhe një ministër ta caktojnë”, shkroi Abdixhiku.
Ndryshe, Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se deri më tani janë suspenduar 7 punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit
Po ashtu, Spitali i Pejës njoftoi se hetimi për rastin nuk është duke u bërë për ndërhyrjen kirurgjike apo përkujdesjen tjetër shëndetësore, por lidhur me mënyrën se si është bërë ruajtja e foshnjës së vdekur, dhe tërë atë që ka ndodhur deri në dorëzim e foshnjës së vdekur tek familjarët.