Anëtari i PDK-së, Adem Grabovci para fillimit të Konventës së kësaj partie për zgjedhjen e kryetarit të ri ka thënë se PDK do të dalë më e unifikuar.
Grabovci ka thënë se pret që nga kjo konventë PDK të dalë më e unifikuar dhe do të hapin rrugë që PDK-së t’i bashkëngjitet gjenerata e re.
“Ne nga konventa presim që PDK të dalë edhe më e unifikuar, dhe me kryetarin e ri që do t’I ipet mandati ne do të mobilizojmë kapacitet e brendshme të partisë dhe do të hapim rrugë që PDK-së t’i bashkëngjitet gjenerata e re. Ne e kemi respektu të gjitha afatet pra statutin e partisë, afati ka qenë i paraparë deri më 1 korrik të paraqitet dhe ajo që është e rëndësishme është se kanë qenë të gjithë të barabartë dhe është parë e arsyeshme kjo kandidaturë dhe mendoj se janë respektuar të gjitha rregullat demokratike”, tha Grabovci në një prononcim për T7.
Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, foli edhe për dy ish-liderët e PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
Grabovci u shpreh se ata po u mungojnë shtetit të Kosovës dhe u shpreh i bindur se do të kthehen fitimtarë nga Haga.
“Thaçi dhe Veseli është shumë e qartë se po u mungojnë shtetit të Kosovës dhe popullit të Kosovës, ata nuk janë për interesin e vet personal por është se po përballen me një të pavërtetë dhe jam shumë i sigurt se do të kthehen fitimtarë që jemi përballë, do të fitojnë edhe me këtë sfidë dhe do të dëshmojnë pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe do të vazhdojnë aty ku e kanë lënë me kontributin e tyre”, u shpreh ai.