Një aeroplan i linjës Prishtinë Stamboll, pas aterimit ka dal nga rruga dhe është ndaluar në skajin e pistës.
Siç ka njoftuar ambasada e Kosovës në Turqi, nga ky rast nuk ka të lënduar.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Turqi njofton se sot, në Aeroportin Sabiha Gökçen, një aeroplan i operuar nga kompania AJet, i tipit Boeing 737-800, i cili realizoi fluturimin Prishtinë–Stamboll me numër TKJ76Q / VF102, pas aterrimit ka dalë nga rruga e taksimit dhe është ndalur në skajin e pistës. Sipas informacioneve zyrtare, të gjithë pasagjerët janë evakuuar në mënyrë të sigurt përmes shkallëve të jashtme, pa qenë e nevojshme përdorimi i rrëshqitësve emergjentë. Nuk ka raportime për persona të lënduar dhe udhëtarët janë larguar në mënyrë të rregullt nga aeroporti drejt destinacioneve të tyre”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Në deklaratën e saj, kompania AJet ka bërë të ditur se aeroplani ka kryer një aterrim të rregullt dhe se gjatë lëvizjes në rrugën e taksimit ka dalë në terren të butë, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
