Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, ka shprehur mbështetje të plotë për institucionet e drejtësisë në hetimet që po zhvillohen lidhur me dyshimet për shkelje ligjore nga disa importues të naftës.
Në reagimin e saj, Shoqata vlerëson se rastet që janë aktualisht nën hetim përbëjnë raste të izoluara dhe nuk përfaqësojnë, siç thuhet, punën dhe profesionalizmin e shumicës së operatorëve në këtë sektor, të cilët veprojnë në përputhje me ligjin dhe standardet në fuqi.
“Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me institucionet kompetente dhe mbështet çdo proces që forcon sundimin e ligjit, nxit konkurrencën e ndershme dhe rrit besimin e qytetarëve në tregun e naftës”, thuhet në reagim.
Po ashtu, në reagim theksohet se çdo shkelje e mundshme duhet të trajtohet mbi bazën e fakteve dhe përgjegjësia të mbetet individuale, pa u përgjithësuar mbi gjithë sektorin.
Një operacion i gjerë policor kundër krimit të organizuar, i udhëhequr nga Prokuroria Speciale dhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, me asistimin e Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës, ka rezultuar sot me arrestimin e 9 personave.
Bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë kryer kontrolle në 21 lokacione.
Operacioni është zhvilluar në kuadër të veprimeve procedurale hetimore, ndërsa pas grumbullimit të informacioneve dhe sigurimit të provave, dyshohet se të arrestuarit kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke paraqitur dokumente të rreme lidhur me tatimet, si dhe duke realizuar shitje dhe transaksione fiktive të derivateve të naftës.

