Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.G., në drejtim të veprës penale “Mashtrimi”, nga neni 323 paragrafi 1 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, më 31 maj 2022, rreth orës 15:51 në Prishtinë, i pandehuri E.G., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse merret me shitblerjen e parave të falsifikuara (monedhave metalike nga 2€), e mashtron duke e vënë në lajthim të dëmtuarën-gazetaren A.Th., e cila ishte duke e hulumtuar këtë rast, me qëllim të realizimit të një emisioni për t’i njoftuar qytetarët se si po mashtrohen.
Ata kanë rënë dakord që të blejnë disa monedha, ashtu që i pandehuri i lartcekur e ka nxitur të dëmtuarën që t’ia dërgojë të pandehurit 50€ përmes Money Gramit, në këmbim të pranimit të 400 monedhave metalike, veprim ky i cili ka rezultuar në dëm material të pasurisë së saj, pasi asnjëherë e dëmtuara nuk i ka pranuar monedhat metalike kinse të falsifikuara, me ç’ rast të njëjtës i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 50€.
Fillimisht, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 28.06.2022, ka pranuar kallëzim penal nga Policia e Kosovës, kundër të dyshuarve E.G. dhe L.B., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Ngacmimi”, mirëpo pas analizimit të hollësishëm të provave materiale, Prokurori i Shtetit konstaton se në veprimet e të pandehurit E.G., formësohen elementet e veprës penale “Mashtrimi”, nga neni 323 të KPRK-së, si dhe janë siguruar prova të mjaftueshme për të argumentuar gjendjen faktike, me të cilat do të vërtetohet se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë, andaj me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokurori i Shtetit i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë, thuhet në njoftim.